(VIDEO) INUK shemb me eksploziv banesën 5-katëshe

TIRANË- Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka  vijuar sot me punimet në zonën e Unazës së Re, ku është bërë shpërthimi i telekomanduar i një objekti pa leje 5-katësh, në këtë zonë.

Shpërthimi i telekomanduar u krye rreth mesditës, në orën 12:00 ndërsa inspektorët e INUK kanë dalë në terren që në orët e para të mëngjesit.

Gjatë shpërthimit u bllokua për 20 minuta qarkullimi në të dy akset e rrugës nga rrethrrotullimi i Doganës-Fabrika e Miellit, për arsye sigurie.

Të pranishëm gjatë shpërthimit të ndërtesës ishin edhe forcat e zjarrfikëse, të cilat ndihmuan në uljen e pluhurit të madh të shkaktuar nga shpërthimi.

Objekti është ndërtuar 5 vjet më parë, dhe është në pronësi të një familje të ardhur nga Dibra. Familja është larguar para një viti e gjysmë me kërkesë të Komunës Kashar, e cila kishte konstatuar se ndërtesa ishte ndërtuar pa leje.

Ndërkohë, plani urbanistik i Komunës në truallin e ndërtesës parashikon ndërtimin e rrethrrotullimit të rrugës “Teodor Keko”.

VIDEO

Leave a Reply