Zbardhet vendimi i UEFA-s, ja pse u ndëshkua Shqipëria

Ka qenë deklarata e gjyqtarit anglez Martin Atkinson ajo që kanë marrë për bazë anëtarët e Komisionit të Disiplinës në UEFA, për të bërë përgjegjëse dhe më pas për të penalizuar kombëtaren shqiptare me humbjen në tavolinë të ndeshjes me Serbinë.

Në vendimin e zbardhur që disponon Top Channel, në pikën 21 të saj thuhet se: “Federata Shqiptare e Futbollit nuk dha prova të mjaftueshme të cilat mund t`i largonin përgjegjësinë kësaj Federate, për vendimin e marrë në refuzimin për të vijuar ndeshjen”.

“Ato prova që tregonin qëndrimin tonë të qartë në raport me arsyet e vërteta, se përse është penguar vijimi i mëtjeshëm i ndeshjes, nuk janë marrë në konsideratën e duhur dhe nuk janë arsyetuar në mënyrë të logjikshme nga trupa e Disiplinës. Kuptohet do të jenë gjitha çështje që do t’i parashtrohen Komisionit të Apelit”, thotë avokati, Envi Icka.

Në pikën 23 të këtij vendimi 11-faqësh, theksohet se: “Në bazë të fakteve dhe duke marrë në konsideratë në mënyrë të veçantë informacionin dhënë UEFA-s nga zyrtarët e ndeshjes, Komisioni i Disiplinës arriti në përfundimin se Federata Shqiptare e Futbollit është përgjegjëse për refuzimin e vijimit të lojës dhe në bazë të 27 të rregullores së UEFA-s, kjo federatë ndërshkohet”.

“Neni 27, pika 1, për të cilën ne jemi dënuar, pra që quhet ‘refuzimi për të luajtur”, nuk ka për parasysh vetëm refuzimin për të luajtur, por ka parasysh se kush bëhet në përgjithësi shkaktar për moszhvillimin e një ndeshje futbollit. Mendojmë, se deri në fund do të paraqesim të gjitha argumentet e nevojshëm, për të treguar se moszhvillimi i ndeshjes ka qenë mospërgjegjësi direkte dhe e padiskutueshme e Federatës Serbe, për shkak të kushteve të sigurisë mbi të gjitha. Hyrja e tifozëve në fushë, ka qenë shkaku vendimtar pse ndeshja u nderpre. Raporti i arbitrit ka qenë i saktë, i cili thotë se ‘i futa lojtarët në dhomat e zhveshjes për arsye sigurie'”, thotë Icka.

Të hënën drejtuesit e FSHF do të dërgojnë në UEFA kërkesën për ta apeluar këtë vendim, ndërkohë që brenda një kohe prej 5 ditësh ata duhet të dërgojnë të gjitha provat me të cilat federata do të mbrohet në Komisionin e Apelit.

Leave a Reply