Zbulohet dekoderi, së shpejti do flasim me mendje

Personat të cilët nuk mund të flasin, përmes një “dekoderi” do mund të arrijnë të komunikojnë me botën.

Ky është një lajm i mirë që vjen nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në SHBA, të cilët zbuluan sesi të lexojnë mendimet e njeriut, për të ndihmuar njerëzit të cilët nuk mund të flasin.

Shkencëtarët kanë krijuar një algoritëm, që bën të njëjtën gjë kur dëgjojmë dikë të flasë, por në vend të tingujve, lexon aktivitetin e trurit. Studiuesit analizuan aktivitetin e trurit të 7 personave epileptikë, që iu nënshtruan një vëzhgimi. Atyre iu kërkua që fillimisht të lexonin me zë një pjesë teksti dhe më pas, ta lexonin atë me mendje.

Teksa pacientët lexonin me zë të lartë, shkencëtarët ndërtuan një “dekoder” personal për secilin prej tyre, duke përcaktuar se cilat neurone reagonin ndaj aspekteve të ndryshme të të folurit.

Një moment që arritën të dallonin se cilat neurone të trurit lidheshin me cilën fjalë, shkencëtarët përdorën më pas “dekoderin” e tyre, për të lexuar aktivitetin e trurit kur lexonte me mendje dhe vunë re, se ishte e mundur të kuptonin fjalë të shumta nga ato që po mendonin pacientët.

Drejtuesi i këtij studimi, Brian Pasley, shpjegoi për revistën “New Scientist”, se “tingulli mbetet tingull, ndaj “dekoderi” i krijuar i ndihmon të kuptojnë aspekte të ndryshme, sesi truri e proceson atë”.

Ky është një zbulim tepër i rëndësishëm, pasi shpikja e një një aparature mund të ndihmojë pacientët e paralizuar, që të flasin sërish.

Leave a Reply